Kreu i qeverisë, paraditen e sotme është duke zhvilluar një takim pune me të gjithë kryebashkiakët e vendit, të majtë dhe të djathtë.
Në fokus të takimit janë sfidat aktuale të qeverisjes vendore dhe identifikimi i zgjidhjeve konkrete në përputhje me prioritetet kombëtare dhe standardet europiane.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama i “tërhoqi veshin” sërish kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredhës. Duke u ndalur te aksioni në Vlorë si dhe te dorëheqjet që erdhën në këtë bashki pas vizitës të Ramës, ai tha se Ermal Dredha dhe “të vetët aty” përgjatë gjithë kësaj kohe kanë “mbajtur sytë gjysmë hapur dhe gjysmë të mbyllur”.
“Dobësia e pushteti vendor ka dalë në pah edhe si rezultat i një ndryshimi shumë të madh të gjithë mënyrës së funksionimit të vendit për shkak të faktit se vendi tani nuk mban vetëm banorët e vet, por mban edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh që vjen në rritje dhe që sjell sfida të reja dhe ngarkesa të mëdha ekstra të pushtetit vendor, në territoret ku përqëndrimet e turistëve janë më të mëdha.
Një nga gjërat që vihet re është edhe nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë e paravendosur në formën e daljes përtej tyre dhe të zaptimeve të territorit ashtu edhe ndërtimeve pa leje në territoret ku vëmendja është më e vogël apo si në Vlorë ku kryetari i bashkisë dhe struktura atje i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur”, tha Rama.









