HISTORI SUKSESI/ Shqiptarja që renditet ndër 5 shkencëtaret më të mira në Kanada, njihuni me Kozeta Miliku

Shqiptarja Kozeta Miliku është vlerësuar si një nga 5 shkencëtaret më të mira në Kanada. Prestigjozja “The Globe and Mail” e ka renditur atë si ndër shkencëtaret më premtuese që kanë bërë përparime të rëndësishme në shëndetësi, shkencë dhe mjekësi.

Në një intervistë për Euronews, Miliku shprehet krenare për arritjen dhe vlerësimin që ka marrë. Ajo shton se në artikull janë cituar gjetjet e saj lidhur me ushqimet që priren të sjellin obezitet në fëmijët deri në 3 vjeç janë kthyer në temë diskutimi në gjithë vendin.

“Është një arritje e madhe, vlerësim që merr nga puna që ke kryer, ndihem krenare. Fusha që unë studioj është origjina e sëmundjeve, kryesisht obeziteti dhe astma. Në këtë artikull janë cituar dy prej publikimeve të mia, një prej tyre ushqimet ultraprocesuara, që i gjen lehtë në supermarkete, ato kanë efekte negative në shëndet”, thotë ajo.

Gjatë intervistës, Miliku thotë se e ka menduar rikthimin në Shqipëri. Aktualisht, ajo është nënë e një vajze trevjeçare dhe thotë se mendimi për t’u rikthyer në Shqipëri i ka kaluar nëpër mendje, por megjithatë, thotë  se Kanadaja i ka ofruar gjithçka, si në aspektin profesional, ashtu edhe në jetën personale. 

“E kam menduar rikthimin, me ka shkuar në mendje, jo për aspektin e vlerësimit por në Shqipëri i kemi të gjithë”, thotë Kozeta.

Kozeta Miliku, nga Korça, kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Pasi mori diplomën nga Universiteti Mjekësor i Tiranës në 2013, ajo shkoi në Holandë për të vazhduar masterin dhe doktoraturën në Erasmus University Medical Center, ku punoi me studimin Generation R.

Globe and Mail paraqet profilin e pesë studiuesve kanadezë në karrierën e tyre të hershme që kanë bërë përparime të rëndësishme në shëndetësi, shkencë dhe mjekësi. Këta përfshijnë Adrienne Kinman (neuroshkencë, qeliza ovale, Alzheimer), Kozeta Miliku (epidemiologji klinike, ekspozime në jetën e hershme, ushqime të ultrapërpunuara, obezitet), Grant Bruno (hulumtim mbi autizmin indigjen, Indigenous Caregiving Collective), Yi-Chun Chen (sistemi endokrin, diabeti, qelizat beta) dhe Dilakshan Srikanthan (IA në kirurgjinë e tumoreve të trurit, teknologjia iKnife).