E TRISHTE/ Ndahet nga jeta këngëtari legjendar, Ozzy Osbourne

Këngëtari i grupit Black Sabbath, Ozzy Osbourne, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga familja e tij, raportojnë mediat ndërkombëtare.

“Me më shumë trishtim sesa mund të shprehin fjalët, duhet të njoftojmë se Ozzy Osbourne ynë i dashur ka ndërruar jetë këtë mëngjes. Ai ishte me familjen e tij dhe i rrethuar nga dashuria. U kërkojmë të gjithëve të respektojnë privatësinë e familjes sonë në këtë kohë”, thuhet në deklaratën e familjes.

“Princi i Errësirës”, Ozzy Osbourne tronditi dhe mahniti me grupin e tij heavy metal, Black Sabbath. Për shumë vite, fansat mendonin se Osbourne duhej të ishte i pathyeshëm. “Kumbari i Metalit” i kishte mbijetuar dekadave të jetës së vështirë, duke përfshirë abuzimin me drogën dhe alkoolin.

Osbourne u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2019.
Vetëm dy javë më parë, ai luajti në koncertin e lamtumirës së Black Sabbath në qytetin e tij të lindjes, Birmingham.