DEPUTETLLEKU/ Shabani publikon marrëveshjen: Lapaj s’e mbajti premtimin –  Lapaj e “sfidon”: Të dorëhiqemi, mandati t’i kalojë Greta Ambelit; KQZ vendos nesër

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shabani ka shpërndarë marrëveshjen e nënshkruar mes Nismës Thurrje dhe partisë “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, duke theksuar se në asnjë pikë të saj nuk parashikohet se Zeqir Kordhoni është i detyruar të japë dorëheqjen nga lista e mbyllur.

“SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit. Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë. Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut? Apo funksionon parimi: ‘bëj si të them unë, jo si bëj unë’?”, shkruan Shabani.

Ai thekson se marrëveshja nuk përfshin asnjë detyrim ligjor për dorëheqjen e kandidatëve të listës së mbyllur, por 46 prej tyre kishin dhënë një “zotim moral” për të hapur rrugë për kandidatë të tjerë.

“Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë, si ajo e Adriatikut. Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa. Nëse kryetari nuk mban fjalën, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?”, shkruan ndër të tjera Shabani.

POSTIMI I PLOTË:

Sqarim publik SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit. Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë. Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut? Apo funksionon parimi: “bëj si të them unë, jo si bëj unë”? Për ata që janë të interesuar, më poshtë gjeni marrëveshjen e nënshkruar. Aty nuk thuhet askund që kandidatët e listës së fiksuar janë të detyruar të japin dorëheqjen. As për Zeqirin, as për ndonjë tjetër. Por është fakt që 46 kandidatë të listës së fiksuar dhanë fjalën e tyre që do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur. Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë – si ajo e Adriatikut. Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa! Nëse kryetari nuk mban fjalën, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?

Nga ana tjetër drejtuesi i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ ka sfiduar publikisht kreun e ‘Nismës Thurje’, për mandatin e deputetit.

Përmes një konference për mediat, Lapaj është shprehur se me Shabanin kanë pasur një marrëveshje të shkruar, se mandatin e deputetit do e marrë personi më i votuar i listës së hapur të koalicionit.

Lapaj tha gjithashtu se zotimi i tij që nëse koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet merrte vetëm një mandat ai nuk do të hynte në Parlament, është një zotim që ai e ka bërë për votuesit dhe jo me Shabanin dhe Nismën Thurje.

Ai tha gjithashtu se ishte gati të jepte dorëheqjen, sëbashku me Shabanin dhe Pano Sokon, në mënyrë që mandati i deputetit t’i kalonte Greta Ambelit, e cila sipas tij është gruaja më e votuar e koalicionit.

“Prej ditësh jam në pritje të zotit Shabani, për të diskutuar lidhur me ngërçin e krijuar në koalicionin tonë. Edhe pse e kemi ftuar disa herë për takim, kjo nuk ka ndodhur. Prandaj ndihem i detyruar të ndaj thelbin e bisedës që do të kisha pasur me të në një takim të mundshëm.

Që në krye të herës dua të theksoj se deklarata ime për të dhënë dorëheqjen nëse do të merret vetëm një mandat, po keqpërdoret nga politika e vjetër. Ky angazhim ka qenë i imi personal me votuesit dhe strukturat e lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ dhe jo me zotin Shabani dhe partinë Nisma Thurje. Me partinë Nisma Thurje kemi pasur një marrëveshje të shkruar ku të dy palët angazhohemi që mandati ti kalojë kandidatit më të votuar nga lista e hapur, si një model që premtoi ndershmëri dhe konkurrencë reale në zgjedhje.

Duke qenë se u fitua vetëm një mandat dhe unë rezultova kandidati më i votuar në listën e hapur në nivel kombëtar, i kam propozuar Shabanit që të tërhiqemi të tre, unë ai dhe zoti Soko, në mënyrë që mandati t’i kalojë zonjës Greta Ambeli, kandidate e ‘Shqipëria Bëhet’ dhe avokate me përvojë, që gëzon besimin dhe mbështetjen më të lartë nga mbështetësit tanë dhe që rezulton gruaja më e votuar në Tiranë dhe e dyta më e votuar pas meje e Lëvizjes Shqipëria Bëhet.

Kam pritur me durim një përgjigje, deri në momentin që një prej personave të listës së mbyllur, të sjellë nga zoti Shabani, ishte tërhequr nga ky zotim, një veprim që më dha sinjalin se marrëveshja nuk po respektohej. Gjatë kësaj kohe jam rezervuar nga deklaratat publike, duke e cilësuar çështje të brendshme”, tha mes të tjerash Lapaj.

Në fakt këtij sherri pritet t’i japë drejtim zyrtarisht KQZ ditën e nesërme!