“Katastrofa humanitare që po dëshmojmë në Gaza duhet të ndalet menjëherë”, thanë Franca, Britania dhe Gjermania në një deklaratë të përbashkët.
Duke reaguar ndaj paralajmërimeve nga OKB-ja dhe organizatat joqeveritare që flasin për një rrezik të menjëhershëm dhe të përgjithësuar të urisë në enklavë, tre vendet evropiane i bënë thirrje qeverisë izraelite “të heqë menjëherë kufizimet në shpërndarjen e ndihmës”.
Franca, Britania dhe Gjermania i kujtuan gjithashtu Izraelit se “duhet t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.
“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës në Gaza”, shtuan ata, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve” të ndalojnë luftimet dhe të arrijnë një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, ata përsëritën gjithashtu kërkesën e tyre për lirimin e pengjeve izraelite dhe çarmatimin e Hamasit.
Në të njëjtën kohë, ata “kundërshtojnë fuqimisht çdo përpjekje për të imponuar sovranitetin izraelit në territoret e pushtuara palestineze”.









