Dinamo triumfon me rezultatin 1-2 në transfertë përballë ekipit të Atletik D’Eskaldes nga Andorra në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.
Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 43. Kapiteni Vieira shënoi me kokë pas një harkimi nga goditja e këndit. Me fitoren e ekipit nga Andorra u mbyll edhe pjesa e parë e takimit.
Në pjesën e dytë dhe më konkretisht në minutën e 52, dinamovitët iu afruan golit të barazimit. Pas një aksioni të bukur, Nani mori një top brenda zonës dhe në një pozicion të vështirë tentoi portën, ndërsa topi përfundoi në shtyllë.
Në minutën e 65 erdhi edhe goli i barazimit për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja. Sulmuesi, Baton Zabërgja përfitoi nga një gafë e portierit vendas, duke përshëndetur rrjetën.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Dinamo realizoi golin e përmbysjes së madhe. Qardaku gjeti rrugën e rrjetës me prekjen e parë të topit.
Kualifikimi mes këtyre dy skuadrave do të vendoset në ndeshjen e kthimit, që do të luhet pas një jave në kryeqytet.









