ARRITJA E MARREVESHJES/ Von der Leyen pas takimit me Trump: Stabilitet në kohe pasigurie! Forcon bashkëpunimin tonë transatlantik

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se marrëveshja tregtare e arritur mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara sjell “siguri në kohë të pasigurta”.

Deklarata e saj erdhi pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Turnberry të Skocisë, ku të dy palët ranë dakord për një marrëveshje që përfshin një normë të unifikuar doganore prej 15% mbi shumicën e eksporteve evropiane drejt SHBA-së.

Sipas von der Leyen, kjo marrëveshje “ofron stabilitet dhe parashikueshmëri për qytetarët dhe bizneset në të dy anët e Atlantikut”, duke shtuar se bëhet fjalë për një marrëveshje mes dy ekonomive më të mëdha në botë, me shkëmbime tregtare vjetore që kapin vlerën e 1.6 trilionë eurove.

“Vetëm pak javë pas samitit të NATO-s, kjo është shtylla e dytë që forcon bashkëpunimin transatlantik”, theksoi ajo.

Detaje të marrëveshjes tregtare:

– Një tarifë unike 15% do të aplikohet për pjesën më të madhe të eksporteve evropiane, përfshirë automjetet, produktet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit.

– U arrit marrëveshje për heqjen e tarifave për disa mallra strategjike si: avionët dhe pjesët e tyre, disa kimikate, ilaçe gjenerike, produkte bujqësore të caktuara, burime natyrore dhe lëndë të para kritike.

– BE dhe SHBA do të punojnë së bashku për të zbutur tepricën globale të prodhimit të çelikut dhe aluminit, përmes një sistemi kuotash dhe uljeje të mëtejshme të tarifave.

Në fushën e energjisë, bashkëpunimi do të thellohet ndjeshëm. Von der Leyen tha se BE-ja do të zëvendësojë gazin dhe naftën ruse me importe të mëdha nga SHBA në formën e gazit të lëngshëm natyror (LNG), naftës dhe karburantit bërthamor, në një marrëveshje që kap vlerën e 750 miliardë dollarëve për tre vitet e ardhshme.

Presidentja e Komisionit falënderoi presidentin Trump për “angazhimin personal dhe lidershipin e tij në arritjen e këtij suksesi të madh”, duke e cilësuar atë si “një negociator të fortë, por të aftë”.

Në lidhje me takimin që zgjati rreth një orë, Von der Leyen pranoi se bisedimet ishin “të vështira dhe të drejta, por mbi të gjitha të vështira”, duke e quajtur rezultatin “të mirë dhe të kënaqshëm”. Ajo pranoi gjithashtu se tarifat prej 15% paraqesin sfida për disa sektorë, por garantojnë akses në tregun amerikan, ndërkohë që BE po punon për të hapur tregje të reja për bizneset evropiane.