Detaje të reja po publikohen në lidhje me vrasësin serial të Gracit, i cili i mori jetën 11 personave dhe plagosi 12 të tjerë. 10 nga viktimat humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa një mësues i cili u transportua si i plagosur në spital, vdiq disa orë më pas.
Dy foto të autorit 21-vjeçar të sulmit në një shkollë në Austri, i quajtur Arthur A., u bënë publike. Ai vinte nga një periferi e Gracit.
Nga fotot e publikuara, ai mban një mace të vogël përpara tij, ndërsa në tjetrën pozon si një adoleshent tipik.
Është e pakonceptueshme që një person i tillë më vonë të shkaktojë një masakër.
Arthur A. jetonte me nënën e tij beqare, gjithashtu austriake, në Kalsdorf pranë Gracit. Babai i tij është armen vendas.
Në të njëjtën kohë, policia konfirmoi se një shënim dhe një bombë “jofunksionale” u gjetën në shtëpinë e autorit të krimit, i cili kreu vetëvrasje në një nga tualetet e shkollës pas sulmit.

“Më fal për atë që do të bëj”
Në videon e lamtumirës që autori i sulmit në shkollë i dërgoi nënës së tij me anë të celularit pak para sulmit, ai kërkonte falje për “atë që do të bënte “. Më pas ai e falënderoi nënën e tij për “kujdesin” që kishte treguar.
Sipas oficerëve të policisë austriake, nëna e hapi videon 24 minuta pasi i biri ia kishte nisur, ndërsa ai kishte kryer masakrën dhe ishte vetëvrarë.
Në një shënim që iu gjet pas vetëvrasjes, Arthur A. nga njëra anë fajësonte shkollën për ngacmimin që pësoi vite më parë, duke dashur të justifikonte krimin, dhe nga ana tjetër shprehte shqetësime për macen e tij, duke kërkuar që për të të kujdeseshin sa më shumë që të ishte e mundur.
Një prej viktimave të 21 vjeçarit ishte një 14 vjeçar, ndërsa 9 të tjerët ishin midis 15 dhe 17 vjeç. Gjithashtu viktimë mbeti edhe një mësues i moshës 59 vjeç, që ishte mes të plagosurve.

Në të njëjtën kohë, u zbulua se Arthur A. kishte një leje për armë zjarri. Megjithatë, ky është thjesht një dokument që lejon blerjen dhe posedimin, por jo mbajtjen, të armëve të zjarrit të kategorisë B. Arma e tij duhej të ishte transportuar bosh në një valixhe të mbyllur me qëllimin e vetëm të përdorimit të saj në poligonet e qitjes. Vetë autori i krimit ndoshta përdori një pistoletë dhe një pushkë gjahu në vendin e krimit.
Një total prej 6 pacientësh janë ende të shtruar në spital në Spitalin Universitar LKH. Katër prej tyre janë ende të shtruar në njësinë e kujdesit intensiv dhe dy janë transferuar tashmë në repartin e përgjithshëm.
Një person, i cili ishte në gjendje kritike të martën, tani është në gjendje të qëndrueshme, së bashku me të tjerët.









