Hetimet për tragjedinë ajrore që përfshin rrëzimin e avionit Boeing 787 Dreamliner të Air India vazhdojnë, ndërsa sipas informacioneve, “kutia e zezë” e avionit është gjetur.
Ministri i aviacionit civil të Indisë konfirmoi informacionin se është gjetur “kutia e zezë” e avionit .
“Regjistruesi i të dhënave të fluturimit [kutia e zezë] u gjet brenda 28 orëve nga vendi i aksidentit në Ahmedabad nga AAIB [Bordi i Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë]”, tha Ram Mohan Naidu Kinjarapu në një postim në X.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara në hetim. Do të ndihmojë ndjeshëm në hetimin e incidentit”, tha ai.
“Kutia e zezë” u nxor nga një çati pranë vendit të rrëzimit dhe agjencia indiane e hetimit tha se kishte filluar punën e saj me “forcë të plotë”.
Kutitë e zeza përmbajnë të dhëna rreth fluturimit, duke përfshirë bisedat e pilotëve në kabinën e pilotit, si dhe informacione të tilla si lartësia dhe shpejtësia, dhe mund të japin detaje të rëndësishme rreth ngjarjeve që çuan në rrëzim.
Kontrollet e sigurisë në flotën e Boeing
Ndërkohë, rregullatori i aviacionit të Indisë i ka urdhëruar Air India të kryejë kontrolle sigurie në flotën e saj Boeing 787-8/9 brenda dy javësh. Kjo do të përfshijë kontrolle të parametrave të karburantit dhe sistemeve përkatëse, si dhe një rishikim të parametrave të ngritjes, sipas autoritetit.
Cilat pika shqyrtojnë ekspertët?
Studiuesit po shqyrtojnë shtytjen e motorit, krahët dhe sistemin e uljes. Air India dhe qeveria indiane po shqyrtojnë disa faktorë që mund të kenë shkaktuar rrëzimin e aeroplanit, tha një burim i Reuters.
Këto përfshijnë probleme të mundshme me shtytjen e motorit të aeroplanit, krahët dhe pse marshi i uljes mbeti i hapur.
Burimi tha se mundësia e një përplasjeje me zogj nuk është ndër faktorët kryesorë që po merren në konsideratë.
Hetimi i qeverisë përfshin shqyrtimin e çdo gabimi nga Air India, duke përfshirë çështjet e mirëmbajtjes, tha burimi.
“The Sun” rendit gjashtë pista kryesore që po hetohen si shkaktarë të mundshëm të aksidentit më të rëndë ajror në historinë e Indisë:
Përplasja me zogj – Një goditje nga zogjtë mund të ketë dëmtuar motorët gjigantë General Electric të avionit. Edhe pse duket e pazakontë që një zog të rrëzojë një avion kaq të madh, raste të ngjashme kanë ndodhur më parë.
Pozicioni i flapave të krahëve – Ekspertët sugjerojnë se flapët e krahëve mund të kenë qenë tërhequr ose në një pozicion minimal, duke dhënë shumë pak ngritje, veçanërisht gjatë nisjes dhe uljes ku këto pjesë janë të rëndësishme për stabilitetin. Gjithashtu, rrotat e uljes kanë mbetur hapur gjatë gjithë kohës, duke shkaktuar rezistencë të madhe aerodinamike. Kjo mund të ketë kontribuar në humbjen e kontrollit të avionit.
Gabim i pilotit – Megjithëse Boeing 787 është një avion shumë i automatizuar dhe pilotët kryejnë kryesisht veprimet kyçe, nuk mund të përjashtohet një gabim njerëzor. Kapiteni i avionit ishte një pilot me përvojë të madhe, por mund të ketë ndodhur një gabim në kontrollin e avionit ose në vendosjen e flapave.
Temperatura e lartë – Në ditë me temperatura shumë të larta, si ajo e aksidentit (rreth 40°C) avioni ka nevojë për më shumë shpejtësi për të krijuar ngritje të mjaftueshme. Kjo mund ta ketë bërë më të vështirë ngritjen, veçanërisht me ngarkesë të plotë.
Defektet teknike – Nuk përjashtohet mundësia e një defekti teknik apo problemi inxhinierik. Boeing 787 ka një rekord të mirë sigurie, por në vitet e fundit janë raportuar disa probleme me motorët në avionët e ngjashëm.
Mbingarkesa – Edhe pse pesha e avionit kontrollohet me kujdes para nisjes, një mbingarkesë moti mund të ketë ndikuar në aftësinë e tij për ngritje.









