TEKNOLOGJIA MILITARE/ Përdorën një predhë të re 100 kilogramëshe, trupat ukrainase shkatërrojnë fortesën ruse 

Një armë e re e zhvilluar nga një anëtar i Brave1, një grup ukrainas i specializuar në zhvillimin e teknologjive ushtarake, është testuar me sukses në vijën e frontit në Kherson.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë testimit të saj, një fortesë ruse është shkatërruar duke përdorur një predhë që peshonte mbi 100 kilogramë.

Brave1 nuk ka bërë publike detaje mbi karakteristikat teknike apo potencialin e mëtejshëm të zhvillimit të kësaj arme, por ka konfirmuar për Mezha Media se municioni i përdorur ishte i prodhimit ukrainas.

Testimi është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me prodhuesin dhe një njësi ushtarake në zonën e frontit.

Përfaqësues të grupit theksuan se ky është vetëm hapi i parë drejt një game më të gjerë armësh inovative që janë në zhvillim. “Ne nuk do të zbulojmë detaje, por ky është vetëm fillimi.

Së shpejti, ne do të kemi më shumë zgjidhje që armiku do të përjetojë,” thuhet në deklaratën e Brave1.

Ky testim vjen në një kohë kur Ukraina po intensifikon përpjekjet për të modernizuar arsenalin e saj ushtarak përballë agresionit të vazhdueshëm rus.