E ardhmja e Simone Inzagit është mes Italisë dhe Arabisë Saudite. Por ndërkohë që presim samitin në orët e ardhshme me drejtuesit e Interit për të kuptuar nëse ka hapësirë për të ecur përpara së bashku, burimet arabe tashmë janë të sigurta për ardhjen e trajnerit tek Al Hilal.
“Ariyadhiah”, zakonisht i besueshëm kur bëhet fjalë për lajmet sportive arabe, nuk la asnjë dyshim të dielën në mbrëmje:
“Simone Inzagi ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Al Hilal. Ai do të ketë një takim me klubin të martën për të planifikuar Kupën e Botës për Klube dhe sezonin e ri, javën e ardhshme do të fillojë zyrtarisht punën e tij si trajner”, thuhej në postimin e publikuar në X.
Nuk ka shpresë për Interin, atëherë? Jo saktësisht. Nëse është e vërtetë që propozimi i Al Hilal është real, konkret dhe shumë i pasur, vendimi i Inzagit nuk ka ardhur ende. Nuk është rastësi që, pak orë më vonë, “Ariyadhiah” e fshiu postimin, edhe sepse duket e pamundur që Inzagi të takojë drejtuesit e Interit të martën dhe në të njëjtën ditë të fillojë planifikimet me klubin e tij të ri. E gjithë kjo padyshim që nuk e anulon mundësinë e lamtumirës së trajnerit, në fakt gjasat nuk janë edhe aq të ulëta duke qenë se tashmë kanë nisur të qarkullojnë emrat e zëvendësuesit të mundshëm.
Klubi zikaltër ka disa emra në mendje si pasues të tij. I pari në listë duket Çesk Fabregas, aktualisht te Komo, ku ka bërë një punë të shkëlqyer duke u mbështetur tek emrat e rinj si Niko Paz, Asane Diao dhe Aleks Vale.
Interi, ndërkohë, po shqyrton edhe emra të tjerë. Mediat italiane kanë përmendur trajnerë si Vieira, De Zerbi dhe Çivu. Për momentin, më “i lehti” duket Fabregas.









