Presidentja e Kosovës kërkon heqjen e plotë të masave ndëshkuese dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e Evropës. Ajo ka kërkuar nga BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese dhe t’ia japë Kosovës statusin e vendit kandidatit, për të cilin ka aplikuar në dhjetor të vitit 2022.
“Koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, as të ardhmes evropiane të rajonit tonë”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka shtuar gjatë fjalës së saj në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) se orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike.
Ndryshe, janë bërë më shumë se dy vjet që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, por Këshilli i BE-së akoma nuk e ka ekzaminuar “dosjen” e Kosovës. E sa u përket masave ndëshkuese të vendosura në qershor të vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri, autoritetet në Bruksel kanë njoftuar se BE-ja ka nisur heqjen graduale të tyre.









