Kreu demokrat Sali Berisha ka mbështetur Izraelin në luftën kundër Iranit, ndërsa në një postim në rrjetet sociale shprehet se regjimit të Ajetullahëve po i vjen fundi.
“Goditjet në zemër të regjimit nga forcat ajrore izraelite të mbështetura nga SHBA, asgjësimi i elitës terroriste të Gardës dhe të ushtrisë së Ajetullahëve, sistemeve mbrojtëse dhe impianteve bërthamore dhe objekteve të tjera strategjike, po çojnë drejt fundit të merituar regjimin diktatorial, obskurantist, luftënxitës e destabilizues të Teheranit”, shkruan Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike beson se fundi sa më i shpejtë i regjimit obskurantist të Ajetullahëve, armik i egër i kombit iranian dhe lirive të tij, shënon çlirimin e këtij kombi të madh dhe një fitore të vërtetë për paqen dhe bashkëpunimin në Lindjen e Mesme.
Ish-Kryeministri është politikani i parë shqiptar që ka reaguar lidhur me luftën mes Izraelit dhe Iranit, e nisur 72 orë më parë, pas një sulmi preçiz të forcave izraelite që vranë gjithë zinxhirin komandues të ushtrisë iraniane, si dhe shkencëtarët e angazhuar në projektet bërthamore.









