PRISHJET/ Kundërshtohet ndërhyrja e IKMT në pikun e sezonit – Banorët e Jalës “përplasen” me policinë:  Maskarenjtë po na heqin bukën e fëmijëve

Banorët e zonës bregdetare të Jalës kanë kundërshtuar sot ndërhyrjen e forcave të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit, të cilat kishin shkuar për të prishur disa objekte që konsiderohen pa leje.

Tensionet kanë qenë të larta, ndërsa banorët janë përplasur verbalisht me efektivët, duke kërkuar ndalimin e aksionit.

Sipas tyre, objektet në fjalë janë ndërtuar prej vitesh dhe përfaqësojnë investime jetike për mbijetesën e tyre ekonomike, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Ata kërkojnë dialog me autoritetet dhe zgjidhje ligjore, pa dëmtuar pronat e tyre.

“Po na heqin bukën e fëmijëve nga goja, maskarenjtë,” dëgjohet një prej pronarëve të bizneseve të prekura. “Sa jemi furnizuar për këtë sezon. Nuk na kanë lajmëruar fare,” shton një tjetër.

“Na erdhën pa njoftuar, në kulmin e sezonit duan të na prishin. Është hera e dytë, nuk e kuptoj këtë situatë”, tha një biznesmen.

“Erdhën pa vendim, ndërkohë që ne presim turistë. Kemi bërë investime, kemi punësuar njerëz. Po na detyrojnë të falimentojmë,” dëshmon një tjetër.

Nga ana tjetër, IKMT ka deklaruar se aksioni është pjesë e një fushate më të gjerë për pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet informale dhe zbatimin e ligjit për territorin.