Tashmë ka marrë formë zyrtare; Simone Inzagi është trajneri i ri i Al Hilal. Klubi saudit e prezantoi teknikun italian përmes rrjeteve sociale me pseudonimin “gjeniu italian”. Ish-trajneri i Interit ka firmosur kontratë deri në vitin 2027, me pagë prej 25 milionë euro neto në sezon.
Megjithatë, prezantimi nuk kaloi pa gafë. Në videon zyrtare, teksa kamera rrotullohet rreth Inzagit, në një ekran televiziv dëgjohet komentimi i një goli nga Sandro Piçinini, por nuk është gol i Simones. Në fakt bëhet fjalë për gol të vëllait të tij Pipo, pikërisht goli i dytë në finalen e Champions League 2007, Milan-Liverpul.
Ndër “pëlqimet” në videon e prezantimit bie në sy ai i Sergej Milinkovic-Savic, i cili do të ritakojë trajnerin e tij të dikurshëm te Lacio në Riad. Në një tjetër postim, Inzaghi prezantohet si “Kumbari” i ri i klubit.









