PERKUJTIMI/ 147-vjetori i Lidhjes së Prizrenit – Osmani: Themel i vetëdijes sonë kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si themel të vetëdijes kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë.

Osmani ndau këto fjalë përmes një postimi në rrjetet sociale, në 147-vjetorin e kësaj ngjarjeje me rëndësi historike.

Osmani shkruan se më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave.

“Sot, 147 vite më vonë, nderojmë me përulje veprën e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit dhe të gjithë patriotëve të tjerë që e mbajtën gjallë idealin e një kombi të lirë dhe të barabartë në mes kombeve të Evropës.

Urime 147-vjetori i Lidhjes së Prizrenit!”,-shkruan Osmani.