PARAPERGATITJA/ I strehuar në bunker, udhëheqësi suprem i Iranit emëron 3 pasardhësit nëse vritet

Ajatollah Ali Khamenei jo vetëm që ka zgjedhur zëvendësues në zinxhirin e tij të komandës ushtarake në rast se ata vriten në sulmet izraelite, por ai ka emëruar edhe tre klerikë të lartë për ta zëvendësuar atë nëse edhe ai vritet.

Tani më shumë se për jetën e tij, ajatollahut i duhet të ruajë vazhdimësinë e regjimit që ai e drejton prej 36 vitesh dhe të cilit ia ka kushtuar jetën.

Burime nga Teherani tregojnë për New York Times se, nga frika se mund të vritet, i fshehur në një bunker se Ali Khamenei ka zgjedhur një sërë zëvendësuesish në zinxhirin e tij ushtarak të komandës në rast se drejtuesit aktualë vriten.

Sulmet e drejtuara të Izraelit, që në vetëm tetë ditë kanë eliminuar mbi 25 prej drejtuesve politikë e ushtarakë mbi të cilët mbështetet Republika Islamike, e kanë shtyrë atë të ketë frikë për jetën e vet. “Prioriteti absolut është ruajtja e shtetit”, thotë Vali Nasr, ekspert i çështjeve iraniane dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, për gazetën e Nju Jorkut.

I strehuar në bunker, udhëheqësi suprem i Iranit emëron 3

Tym në veri të Teheranit pas sulmeve ajrore izraelite të hënën. Qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur, thonë zyrtarët./ Arash Khamooshi për The New York Times

“Gjithçka është e kalkuluar dhe pragmatike”. Burimet tregojnë se djali i tij, Mojtaba, i dyti për nga mosha dhe i konsideruar si pasardhës i mundshëm, nuk është mes emrave të përzgjedhur.

Khamenei po merr vendime për të siguruar diktaturën fetare. Në kohë paqeje, udhëheqësi suprem  autoriteti më i lartë fetar dhe politik në vend, zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ me 88 anëtarë fetarë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli çdo tetë vjet.

Sipas Kushtetutës iraniane, udhëheqësi suprem duhet të plotësojë disa kushte të veçanta: të jetë teolog dhe jurist islam (faqih), të jetë i drejtë dhe i devotshëm, të ketë njohuri për kohën në të cilën jeton, të tregojë guxim, iniciativë dhe aftësi drejtuese, dhe të gëzojë njohjen si udhëheqës nga shumica e popullsisë.