Eskorta e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është sulmuar sot me vezë gjatë një vizite në Skënderaj.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka pezulluar nga detyra 3 efektivë policie pasi nuk reaguan në momentin e sulmit. Tre efektivët u pezulluan nga detyra për 72 orë.

Kurti ishte në Skënderaj për përurimin e një çerdhe ndërsa vezët u hodhën nga persona ende të paidentifikuar.
Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Skënderaj, Hysni Mehani ka reaguar lidhur me sulmin. Ai tha se përgjegjës i këtij akti është Partia Demokratike e Kosovës. Mehani theksoi se pas sulmeve me vezë është Sami Lushtaku.
“Lajmi i sotëm është përurimi i çerdhes në Skenderaj dhe punët e mira që po bën qeveria. 3.2 milionë të investuara nga Qeveria e Kosovës në Skenderaj vetëm gjatë këtij mandati. Sulmet e Sami Lushtakut me vezë janë dëshmi që ju ka lag baruti, po ashtu dëshmi e mendësisë primitive që udhëheq me PDK në Skenderaj e fatkeqësisht krejt PDK-në. Mediat që po më shkruajnë i inkurajoj të merren me punët e mira të Qeverisë dhe të mos merren me ata që po duan gjithsesi të prodhojnë lajme të këqija për Skenderajn”, shkroi ai.









