NDERIMI/ Amerika feston përvjetorin e Pavarësisë – E ngarkuara Nancy VanHorn vlerësoi kujtimin e Feti Voglit, komandanti shqiptar që ra dëshmor në Kabul 

Diplomatja e lartë amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn ka kujtuar dje me nderim komandantin shqiptar Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës 13 vite më parë, teksa drejtonte trupat shqiptare “EAGLE 4” në misionin ndërkombëtar në Afganistan.

Gjatë ceremonisë së organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë për 249 vjetorin e Pavarësisë së Amerikës, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, është shprehur se pak ditë më parë gjatë stërvitjes Defender Europe, dikush i kishte treguar historinë e Feti Voglit.

“Në fillim të këtij muaji, pata nderin të shihja se si forcat shqiptare dhe amerikane punonin së bashku në Stërvitjen DEFENDER-Europë Përgjigje e Menjëhershme. U preka thellë kur dëgjova nga një prej partnerëve tanë shqiptarë historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së gati një dekadë më parë.

Ai la pas një vajzë të vogël – tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj. Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi Aleatë si Shqipëria”, është shprehur ajo.

Komandant Feti Vogli lindi më 23.05.1981 në fshatin Baldushk të Tiranës dhe ra dëshmor më 20.02.2012. Ishte i martuar me bashkëshorten Alva dhe kanë një vajzë me emrin Egi, e cila sot është 15 vjeçe. Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë ishte dekoruar disa herë me medalje ndryshme. Sot në nder të tij ka një bust në Shqipëri dhe Afganistan.

Operacioni ku u vra komandant Feti Vogli

Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, mbeti i vrarë në Kandahar, Afganistan teksa ishte me mision shërbimi duke përfaqësuar Shqipërinë si një vend aleat i NATO-s. I plagosur mbeti dhe komandoja shqiptar Aleksandër Peçi, i cili pas dy vitesh u rikthye përsëri me mision atje.

Më 20 shkurt 2012, forcat e grupit “EAGLE 4” ishin me detyrë shoqërimi, pasi një përfaqësuese e lartë amerikane do të merrte pjesë në inagurimin e një qendre shëndetësore dhe një shkolle në Kandahar.

Grupi i batalionit special ishte i përbërë nga 12 ushtarakë dhe pas inagurimit të qendrës shëndetësore, ishin drejtuar për në shkollën e re. Përfaqësuesja amerikane kishte hyrë brenda bashkë me një pjesë të batalionit, ndërsa komandant Feti Vogli, komandot Aleksandër Peçi e Ylber Dajlani, si dhe ushtaraku amerikan Michael Trost po qëndronin jashtë.

Amerika feston përvjetorin e Pavarësisë, Nancy VanHorn nderon

Ata kishin siguruar pjesën e jashtme të godinës, shkollës, të shoqëruar gjithashhtu dhe nga Policia afgane. Në këtë moment, ndodh një akt pabesie pasi një nga policët afgan, që në fakt ishte i infilturuar i talebanëve, hapi zjarr drejt ushtarakëve duke lënë të vdekur komandat Fetiun dhe të plagosur rëndë Aleksandër Peçin e amerikanin Michael Trost.

“Në momentet kur kemi marrë plumbat e parë ramë në tokë. Kam parë komandant Fetiun rëndë në të djathtë në tokë dhe plumbat e kishin marrë në venat kryesore të qafës nga ku po i dilte shumë gjak. Në krahun tjetër ishte amerikani Michael Trost që kishte marrë një plumb në dorë dhe kishte humbur dy gishtërinj sikurse kishte marrë plumba edhe në këmbë e nisi të bërtiste”, ka treguar Peçi.

Vetë komadoja Aleksandër Peçi kishte marrë një plumb në fytyrë dhe në kohën që po ndihmonte komandant Feti Voglin, ka nisur t’i dalë gjak nga goja. Menjëherë jashtë kanë djemtë e tjerë të repartit “EAGLE 4” dhe pjesëtarë të sigurisë, të cilët kanë neutralizuar agresorin e kamufluar si polic.

Tre të plagosurit kanë pritur për rreth 25-30 minuta në vendngjarje për mbërritjen e helikopterit, siç ka treguar vetë komandoja shqiptar Aleksandër Peçi, ndërsa komandat Fetiu ka pasur gjakderdhje të madhe pasi plumbat e kishin kapur në arteriet kryesore të afës.

Gjatë transportimit me helikopter, stafi mjekësor është përpjekur të mbajë në jetë Feti Voglin, edhe nëpërmjet goditjeve me elektroshot, por fatkeqësit drejtuesi i grupit të parë special ra dëshmor. Vdekja e komandantit shqiptar u konfirmua në spitalin Rol 3 në Kandahar.