Një 41 vjeçar shqiptar me banim në Greqi është ndaluar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, pasi në çantën e shpinës i janë gjetur 160 mijë euro. Këto para nuk ishin deklaruar.
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, kanë kapur në afërsi të një karburanti në Kakavijë, në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin për të hyrë në Shqipëri, shtetasin A. Sh., 41 vjeç, rezident në Greqi.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 41-vjeçarit shërbimet e Policisë gjetën në çantën e shpinës, disa zarfe brenda të cilave kishte 160.000 euro që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar.
Gjithashtu, si rezultat i verifikimeve të kryera ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”. Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga ana e DVP Tiranë, u bë ndalimi i tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.









