Ekipi serb i futbollit mbërrin sot në Tiranë për sfidën e së shtunës (7 qershor 20:45) kundër Shqipërisë. Në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, Kombëtarja jonë do përballet me Serbinë në një duel që edhe nga UEFA është cilësuar si me ‘rrezikshmëri të lartë’.
Kombëtarja e drejtuar nga Dragan Stojkovic mbërrin këtë të premte në Tiranë, teksa do akomodohet në një nga hotelet pranë stadiumit “Arena Kombëtare”. Që nga shkelja e tyre në Rinas, gjithë stafi serb do jenë të shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, për të shmangur çdo problem.
Gjithashtu ekipi i Serbisë do ketë edhe stafin e vet të sigurisë, ndërsa nuk do mungojë as kuzhinieri. Si shumë ekipe në botë, edhe Serbia do udhëtojë në Tiranë me kuzhinierin me vete. Më shumë se mosbesim për ushqimin e gatuar në hotelin ku do qëndrojnë, serbët duan të marrin kaloritë dhe dietën e duhur përpara një ndeshje që është deçizive për vendin e dytë në Grupin K, i cili me gjasë do diskutohet mes Shqipërisë dhe Serbisë deri në fundin e këtyre kualifikueseve.
Ditën e enjte Policia e Shtetit bëri me dije edhe masat e rrepta që do merren për këtë sfidë, ndërsa do ketë kontrolle të imtësishme për tifozët që do futen në stadium. Afro 2 mijë efektivë do jenë në terren, si edhe do bllokohen rrugët pranë “Arenës Kombëtare”.









