Presidenti amerikan Donald Trump po afrohet gjithnjë e më shumë me idenë e përdorimit të forcës ushtarake për të goditur objektet bërthamore të Iranit, ndërsa retorika e tij po bëhet gjithnjë e më luftënxitëse.
Sipas burimeve të afërta të “CNN” me Shtëpinë e Bardhë, Trump po largohet nga rruga e diplomacisë dhe po shikon seriozisht mundësinë e një ndërhyrjeje direkte ushtarake në rast se Teherani nuk pranon kushte të reja. Ai ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe pritet marrja e vendimit.
“Unë nuk jam më në humor për të negociuar me Iranin,” deklaroi Trump për gazetarët gjatë kthimit nga samiti i G7 në Kanada, duke shtuar se objektivi i tij nuk është një armëpushim, por një fund i plotë. Në postimet e tij në Truth Social, ai i kërkoi regjimit iranian “dorëzim pa kushte” dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara e dinë saktësisht vendndodhjen e udhëheqësit suprem, por nuk do ta eliminojnë, të paktën për tani.









