Lufta në Lindjen e Mesme, Macron u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje: Spirali i kaosit duhet të ndalojë!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një ulje të tensioneve nga të gjitha palët pasi Irani sulmoi një bazë amerikane në Katar të hënën, duke thënë se “spiralja e kaosit” duhet të marrë fund.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtjen maksimale, të ulin tensionet dhe të kthehen në tryezën e negociatave. Spiralja e kaosit duhet të marrë fund”, tha ai në X.

Presidenti francez shprehu solidaritet me Katarin pas sulmeve dhe tha se ishte në “kontakt të ngushtë” me zyrtarët e Katarit dhe partnerët rajonalë.

Më herët të hënën, Macron kritikoi ashpër operacionin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë fundjavës, duke thënë se nuk kishte “asnjë kornizë ligjore” që Shtetet e Bashkuara të godisnin tre baza bërthamore iraniane.