KUALIFIKUESET 2026/ U lanë në tribunë për ndeshjen me Serbinë, Silvinjo rikthen dy lojtarë për sfidën me Letoninë

Shqipëria luan këtë të martë transfertën e Letonisë. Kuqezinjtë vijnë në këtë sfidë pas barazimit pa gola ndaj Serbisë dhe objektivi i vetëm janë 3 pikët.

Mbrojtësi Adrian Bajrami dhe mesfushori Medon Berisha u lanë jashtë për ndeshjen ndaj Serbisë, ndërsa në listën zyrtare shihet që tekniku kuqezi i ka rikthyer për këtë sfidë.

Silvinjo ka vendosur që të lërë jashtë portierin Mario Dajsinani dhe mesfushorin Adrion Pajaziti.

Shqipëria ka grumbulluar deri më tani 4 pikë dhe një sukses i mundshëm sot, është mjaft i rëndësishëm për rrugëtimin drejt Botërorit.

Ndeshja do të luhet në orën 20:45 në Riga dhe do të gjykohet nga arbitër turk.

Policia në Letoni ka vendosur që të kufizojë aksesin në një nga sheshet kryesore në qytetin e Rigas, ku këtë të martë luhet ndeshja mes Letonisë vendase dhe Shqipërisë. Kjo për shkak se pritet një numër relativisht i madh tifozësh shqiptarë në qytet për ndeshjen në fjalë.

Paraprakisht, bëhet e ditur se do të jenë të paktën 500 tifozë të pranishëm që kanë udhëtuar për ndeshjen, por ky numër mund të rritet ndjeshëm. Ndaj për të shmangur probleme që mund të lindin “Sheshi i Lirisë” do të jetë me akses të kufizuar gjatë orëve të kësaj dite.

Në fakt, në mediat vendase kjo interpretohet më shumë si një provë gjenerale, jo se priten trazira nga tifozët shqiptarë, pasi në këtë qytet do të luhen më vonë dy ndeshje që ata i cilësojnë me rrezikshmëri më të lartë sa u përket tifozëve, ato me Serbinë në shtator dhe Anglinë në tetor.