Prokuroria e Elbasanit nuk po merr asnjë masë që kompania “Nelsa Sh.p.k”, e cila helmoi 70 fëmijë në një kopësht shtetëror në Gramsh, duke shpërndarë ushqime të infektuara t’i pezullohet aktiviteti. Arsyeja kryesore dyshohet se është lidhja e drejtpërdrejtë mes Kryetarit të Bashkisë së Gramshit, Besjon Ajazi, përgjegjësi për kontrollin e ushqimit dhe higjienës, dhe vëllait të tij, Kreshnik Ajazi, drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Ndërkohë, qeveria dhe krerët më të lartë të saj, përfshirë Edi Ramën, ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu dhe ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, e kanë kaluar në heshtje kriminale ngjarjen, duke i shpërblyer për më tepër autorët me tenderë të tjerë publikë.
Në vend që të ndërpritej kontrata me kompaninë që helmoi fëmijë, qeveria vazhdon t’i japë “Nelsa Sh.p.k”-s tenderë të rinj për furnizim me ushqime në kopshte, çerdhe dhe spitale publike. Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 2 qershor 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve të Tiranës ka shpallur fituese kompaninë “Nelsa Sh.p.k” për një kontratë në vlerën e 700 milionë lekëve. Ky vendim skandaloz vjen vetëm pak javë pas ngjarjes në Gramsh dhe provon se pazaret me ushqimin e fëmijëve nuk ndalen, edhe pas rrezikimit të jetëve.

Kompanisë “Nelsa Sh.p.k” i janë dhënë 220 tenderë për furnizime ushqimore në çerdhe, kopshte, konvikte dhe spitale. Pronari real, Nexhmi Balla, i arrestuar më parë për mashtrim dhe korrupsion me tenderët e ushqimeve për burgjet, ka transferuar ligjërisht kompaninë në emër të vajzës së tij, Elsa Kamberi (Balla), duke ruajtur kontrollin mbi biznesin. Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të marrë miliona euro nga fondet publike, me bekimin e drejtorëve dhe ministrave të qeverisë “Rama”.
Pas helmimit në Gramsh, në vend që të urdhëronte hetim penal dhe ndërprerje të kontratave, Kryeministri urdhëroi Drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Manush Kullolli, të deklaronte publikisht se ushqimet e shpërndara nga “Nelsa Sh.p.k” ishin të sigurta. Madje, ai kërcënoi publikisht edhe mediat që denoncuan rastin, duke provuar edhe një herë lidhjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë me aferën.









