Vajza e Metës punon për “KELONY”-n që bashkëpunon me qeverinë shqiptare për menaxhimin e risqeve, ndërsa në Shqipëri ka hapur kompani pasurish të paluajtshme me të vëllanë. Burimet e kapitalit, ende të padeklaruara…
Bora Metaj, përfaqësuese e një agjencie europiane që bashkëpunon me qeverinë shqiptare, ndërsa familja e saj akuzon shtetin si “narko-regjim”
Më 23 prill 2025, Monika Kryemadhi deklaroi publikisht se fëmijët e saj ishin kthyer nga Anglia dhe po punonin në Shqipëri, duke hapur një biznes për menaxhimin e pasurive të paluajtshme. Ajo e cilësoi reagimin ndaj tyre si “persekutim publik”, duke iu referuar akuzave të mediave për pastrim parash.
Por e vërteta është se tre fëmijët e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit kanë vendbanimin e përhershëm në Londër. Secili prej tyre zotëron apartamente në kryeqytetin britanik dhe janë përfshirë në biznese të natyrës Fast-Food, Bar-Kafe dhe restorante. Ndërkohë, Bora Metaj, vajza e madhe, ka ndërtuar një profil profesional më të strukturuar.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Pamfleti”, që prej shtatorit 2020, Bora Metaj është punësuar në agjencinë europiane “KELONY”, me seli në Milano, një kompani e specializuar në vlerësimin dhe menaxhimin e risqeve strategjike dhe operacionale në sektorë kritikë të ekonomisë, industrisë dhe sigurisë.

Në këtë strukturë, ajo punon si eksperte financiare dhe analiste risku.
Agjencia “KELONY” ka kontrata dhe bashkëpunime të drejtpërdrejta edhe me qeverinë shqiptare.
Nga burime brenda Ministrisë së Financave, mësohet se Bora Metaj është pjesë e grupit që modelon dhe menaxhon projekte financimi për risqe natyrore, dixhitale, mjedisore, ekonomike dhe bankare në Shqipëri. Për më tepër, kjo agjenci koordinon përmes saj dhe një ish-këshilltari të Ilir Metës për çështje të sigurisë, Ilir Kulla, i cili është pjesë e ndërmjetësimit me institucionet shqiptare.
Ky fakt krijon një kontrast të fortë me retorikën publike të prindërve të saj, që prej vitesh e portretizojnë qeverinë e Edi Ramës si “narko-diktaturë”, të kapur nga krimi dhe oligarkia. Ndërkohë, vajza e tyre bashkëpunon në mënyrë të strukturuar me të njëjtën qeveri, në projekte strategjike të sigurisë dhe ekonomisë kombëtare.
Në Shqipëri, Bora dhe vëllai i saj, Besari, kanë themeluar më 13 nëntor 2023 kompaninë “HAZAAR Sh.p.k”, me objekt veprimtarie në fushën e marketingut dhe promovimit të pasurive të paluajtshme, bashkëpunimit me studio arkitekturore, juridike, topografike dhe noteriale. Vetëm pak muaj më vonë, më 7 janar 2025, ata krijuan një tjetër kompani të quajtur “HUNTZ Sh.p.k”, në ortakëri me Erion Manen, person i përdorur në prill 2021 nga Ilir Meta, në atë kohë president, për të bërë një denoncim të bujshëm ndaj qeverisë.
Në thelb, nuk është e ndaluar ligjërisht që fëmijët e një ish-presidenti të merren me sipërmarrje private. Por është e domosdoshme që të deklarojnë burimin e kapitalit fillestar, pasi ata kanë kaluar nga statusi i studentëve në Angli, në pronarë biznesesh dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare, pa asnjë eksperiencë të mëparshme pune të dokumentuar.
Po ashtu, është hipokrite që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët akuzojnë përditë qeverinë për krim e korrupsion, lejojnë vajzën e tyre të përfaqësojë një agjenci që bashkëpunon ngushtësisht me të njëjtën qeveri, në një nga fushat më të ndjeshme të shtetit.
Në këtë përplasje interesash, mbetet për t’u parë nëse SPAK do të hetojë burimet financiare të fëmijëve të çiftit Meta-Kryemadhi dhe nëse ata do të detyrohen të japin llogari për kompanitë dhe pronat që zotërojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Përndryshe, përballë syve të publikut do të mbetet përsëri tabloja e një familjeje që predikon moral dhe anti-korrupsion në mëngjes, ndërsa në darkë ulet në tavolinë me të njëjtin pushtet që akuzon.









