Sulmet e Izraelit në Iran duket se kanë përfunduar dhe i gjithë vendi po përgatitet për kundërpërgjigje. Ndodhur në këto kushte, Izraeli duket se përveç forcave të saj do të varet edhe nga forcat e aleatëve për ti bërë ballë sulmit të Iranit.
Aktualisht mësohet se SHBA po zhvendos anije luftarake dhe burime të tjera ushtarake në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit dhe të trupave amerikane nga ndonjë kundërpërgjigje e mundshme nga Irani. Shkatërruesi amerikan USS Thomas Hudner ka marrë urdhër të zhvendoset në pjesën lindore të Detit Mesdhe, dhe një tjetër anije e të njëjtit lloj pritet të ndjekë të njëjtën rrugë së shpejti.
Gjithashtu në varësi të situatës, Forcat Ajrore të SHBA mund të zhvendosin në ditët në vijim avionë luftarakë në rajon, si pjesë e përgatitjeve për të përballuar çdo rrezik të mundshëm që mund të vijë pas sulmeve kundër Iranit.
Edhe Franca ka shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar Izraelin. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi në një konferencë për shtyp se Franca është e gatshme të marrë pjesë në operacione për mbrojtjen e Izraelit, nëse Irani ndërmerr sulme kundër tij dhe nëse situata e lejon një angazhim të tillë.
“I kam ofruar Izraelit gatishmërinë time për ndihmë. Në asnjë mënyrë nuk kam ndërmend të marr pjesë në ndonjë operacion ofensiv”, tha Macron duke përjashtuar mundësin që të ndihmonte Izraelin për të sulmuar sërish Iranin.









