Zbulohen emrat e dy shqiptarëve që dyshohet se drejtonin trafikun e drogës në Finlandë. SPAK dhe autoritet finlandeze zhvilluan një aksion të gjerë sot, duke arrestuar 9 persona. Në pranga kanë rënë edhe Dorjan Luzaj dhe Geraldo Seferaj, që dyshohen si krerët e 2 grupeve, nga 4 prej tyre që goditi SPAK.
Dorjan Luzaj është një emër i njohur për autoritetet, pasi ai rezulton i skeduar nga DEA amerikane. Në vitin 2010 ai është arrestuar në SHBA pikërisht për trafik droge. Ai ka dalë atje para drejtësisë bashkë me një numër të madh shqiptarësh, pasi akuzoheshin se shpërndanin drogë në Kanada dhe disa shtete të SHBA, si Ilinois (Çikakgo) apo Kaliforni. Vetë DEA në atë kohë ka raportuar se kreu i grupit ishte Dorjan Luzaj.

“Më 21 maj 2010, në Gjykatën e DuPage County Bond, u paraqitën 12 individë të akuzuar për përfshirje në një rrjet të trafikut të kanabisit, i cili dyshohet se drejtohej nga Dorian Luzaj. Ky rrjet kishte lidhje me Kaliforninë dhe ishte përgjegjës për shpërndarjen e më shumë se 600 paundëve kanabis në muaj nga Kalifornia dhe Kanadaja drejt tregtarëve të tjerë në zonën e Çikagos. Operacioni, i koduar si “Chicago Haze”, ishte rezultat i një hetimi shtatëmujor të përbashkët mes autoriteteve shtetërore dhe federale, duke përfshirë Zyrën e Prokurorit të Shtetit të DuPage County, Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Illinois, Administratën e Zbatimit të Drogës (DEA), Grupin Metropolitan të Zbatimit të Ligjit të DuPage (DuMEG) dhe disa agjenci lokale të zbatimit të ligjit”, njoftonte DEA.
Sa i takon Geraldo Seferajt nuk ka asnjë të dhënë ndaj tij për precedentë të mëparshëm. Ai rezulton pronar biznesesh në Vlorë.
Në një njoftim zyrtar SPAK bëri të ditur se këto grupe, të krijuar, organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope.
Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzyar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish të lëndës/substancave narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave të jashtëligjshme.
Sipas SPAK, të arrestuarit janë: B.S, (27.01.1985), E.A (alias E.T 07.02.1991), A.M (07.06.1981), K.Q (14.04.1981); T.K (alias T.T 15.10.1977), G.S (05.07.1994), E.M, (29.05.1983), L.H, (09.01.1983) dhe D.L, (07.06.1983).
Më herët u raportua se një nga personat e arrestuar që konsiderohet si drejtues i një prej grupeve ishte mësues historie. Ndërkohë 4 drejtuesit e grupeve janë dy nga Vlora, 1 nga Berati dhe një tjetër nga Kuçova.









