DESHMIA/ Ekzekutimi i biznesmenit Çajup Selimi – Tafani tregon detaje: E qëllova 3 herë, më pas ika me vrap dhe rashë në ca ferra!

I penduari i drejtësisë Artan Tafani ka zbardhur për herë të parë para GJKKO mënyrën se si u përfshi në planin për vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë, një krim që ai e përshkruan si pjesë e një rrjeti të organizuar ku gjithçka komandohej nga Laert Haxhiu.

Sipas dëshmisë së tij, vrasja është paraqitur si një “nder” për një mik të Haxhiut nga Greqia. Tafani gjithashtu ka hedhur dritë mbi vrasjen e 1 qershorit të vitit 2022, ku viktimë ishte biznesmeni Çajup Selimi.

Biznesmeni u qëllua për vdekje me armë zjarri në qendër të Tepelenës. Selimi, i cili kishte një dyqan shumice me prodhime gruri, u qëllua me armë zjarri, dhe për pasojë nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Lidhur me këtë i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, tregoi me detaje momentin e ekzekutimit të Selimit.

“Pasi shkova te pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makinë, si Benz, si ajo që kishte ai. Isha ballë për ballë me të, kisha maskë COVID-i dhe një kapele. Po më shikonte dhe pati si një dyshim. U fut në hyrje të pallatit, u ngjit në katin e parë, pastaj në të dytin. Unë isha pas tij. Ishte qeros dhe unë i njihja edhe rrobat që kishte veshur atë ditë – kishte një bluzë të kuqe. Aty e qëllova nga pas. E qëllova tre herë – një herë në shpatull dhe dy herë të tjera, por nuk e di saktësisht ku e kapën plumbat.

Ika me vrap në drejtim të zonës së Burgut të Bënçës. Rashë në disa ferra aty jashtë qytetit. Armën e kisha me vete – një “Zastava” ose një “Bereta” e vogël, me silenciator. Nuk po gjeja rrugicën që të dilja sipas planit. Duhej të dilja te lumi Vjosa, ku do të më priste Ligori.

Ligorin e takova pas 1-2 orësh te shtëpia e xhaxhait të Erisianit. Sipas planit që kishim bërë me Laertin, do të na priste xhaxhai i Erisianit. Ligori kishte fikur celularin, ndërsa unë u fsheha pas një shkëmbi – kisha frikë. Makinat e policisë po patrullonin në zonë. Ishte hera e parë për mua.

Te shtëpia erdhi dhe Ligori më pas, i çjerrë nga duart, siç dukej kishte rënë edhe ai në ferra. Laerti u acarua me Ligorin. Më tha mua: “Si të la ai vetëm, do ja tregoj unë atij.

Armën e hodha në lumin Vjosa. Laerti na kishte udhëzuar më parë se si të vepronim edhe me celularët dhe rrobat. Rrobat i dogjëm në një fuçi. Më pas vazhduam rrugën për në Memaliaj, duke kaluar nga mali dhe zbritëm në këmbë deri te një urë. Aty hipëm në një furgon të rastësishëm dhe u nisëm për në Tiranë. Gjatë rrugës, Laerti tha që Ligori të shkonte në Korçë.

Te “Klubi i Shoferit” u ndamë. Unë shkova në Tiranë, tek një hotel në zonën e Astirit ku ishte Laerti. Ai ishte bashkë me Lulesim Arapin. Kur mbërrita, Laerti më bërtiti pse kisha telefonuar xhaxhain në numrin normal dhe jo në WhatsApp. Më ofendoi dhe më shau. Vetëm një gabim të bëje, ai e “leshonte” menjëherë gjuhën.

Për vrasjen mora 25 mijë euro pas një jave. Kurse Ligori nuk i mori, sepse Laerti nuk ia dha. Ligori mori në telefon Laertin dhe i tha se Klisman Xhaferri kishte folur në celular me dikë për punë “malli”. Ne ishim në hotel dhe, sapo mori vesh këtë, Laerti na tha: “Çohuni, do ikim në Korçë ta vrasim””, deklaroi Tafani.