DEMASKIMI/ Me sulmet e fundit, Ukraina e ka nxjerrë zbuluar bllofin bërthamor të Putinit

Shkruar nga Jonathan Sweet dhe Mark Toth

Rusia po vazhdon të sulmojë, ndërsa Ukraina vazhdon të mbrojë vendin e saj. Inovacioni, zgjuarsia dhe guximi për të provuar po e barazojnë fushën e lojës, duke e zemëruar shumë Putinin. Kjo luftë nuk mund të kufizohet vetëm brenda kufijve të Ukrainës..

Nëse u besoni pretendimeve të mbështetësve të Rusisë në Perëndim, me sulmet e saj të guximshme ndaj aeroportet ushtarake ruse por edhe Urës së Ngushticës së Kerçit në Krime, Ukraina po rrezikon t’i japë presidentit rus Vladimir Putin një arsye për të përdorur armët e tij bërthamore.

Në fakt, një ide e tillë është krejtësisht absurde. Duke e çuar luftën brenda Rusisë, Kievi vetëm sa po zbaton këshillën e heshtur të ushtrisë amerikane: “Vazhdoni në këtë rrugë!”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk po provokon Luftën e Tretë Botërore, por po mbron vendin e tij, duke goditur në mënyrë të ligjshme objektiva ushtarake dhe sisteme armësh të ushtrisë ruse.

Në këtë mënyrë, ai po i kujton Perëndimit se Ukraina nuk po humbet. Përkundrazi, ajo është ende në lojë. Siç u shpreh së fundmi Clifford D.May, themelues dhe president i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive: “Ata që kanë thënë se Putin po fiton e kanë gabim. Ukrainasit po rezistojnë ende, edhe pse mbështetja që kanë marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera të lira, ka qenë për fat të keq e pamjaftueshme”.

Ukraina vazhdon të ecë përpara. Pavarësisht kritikave publike të zëvendëspresidentit J.D. Vance dhe presidentit amerikan Trump ndaj Zelensky-t në shkurt, duke i thënë se “nuk ke letrat e duhura”, ai në fakt i kishte ato. Po i mbante fort pas jelekut prej gati 1 viti. Të dielën, forcat specialë të Zelensky-t i dhanë Kremlinit dy goditje tronditëse.

Dronët sulmues ukrainas, të fshehur në kamionë mallrash rusë, shkatërruan 34 për qind të  flotës së bombarduesve strategjikë rusë të stacionuar në 4 baza ajrore: Belaya, Olenya, Dyagilevo dhe Ivanovo. Të gjitha ishin vende lëshimi për sulmet me raketa rrëshqitëse kundër qyteteve ukrainase.

Pastaj, të martën Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës njoftoi se kishte goditur Urën e Ngushticës së Kerçit, e cila lidh Krimenë me rajonin rus të Krasnodar Krai. “Mbështetëset nënujore të skelave u dëmtuan rëndë në nivelin e poshtëm. Për këtë ndihmuan mbi 1.100 kg eksploziv. Në fakt, ura është aktualisht në gjendje emergjence” – njoftuan autoritetet.

Në fakt ura është rihapur, por mesazhi u dha dhe u mor nga rustët. Zelensky s’ka ndërmend të kapitullojë para Kremlinit. Dhe Ukraina nuk do të lejojë që të dekurajohet nga blofi bërthamor i Rusisë. Ekipi i Trump duhet të dërgojë të njëjtin mesazh, dhe të mos e lërë Evropën të veprojë vetë.

Të martën, Pentagoni njoftoi papritur se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth nuk do të merrte pjesë as në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës me 57 anëtarë në Bruksel. Grupi i ka siguruar së bashku Ukrainës mbi 126 miliardë dollarë në armë dhe ndihmë ushtarake, përfshirë 66.5 miliardë dollarë nga SHBA-ja.

Po të martën, gjenerallejtënant i Ushtrisë Amerikane në pension dhe i Dërguari Special  Keith Kellogg, iu rikthye një gjuhe të njohur, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin bërthamor: “Nivelet e rrezikut po rriten shumë. Kur sulmon një pjesë të sistemit të mbijetesës kombëtare të një kundërshtari, që është triada e tij bërthamore, kjo nënkupton rritjen e nivelit tuaj të rrezikut, pasi nuk e dini se çfarë do të bëjë pala tjetër”.

Por Ukraina nuk e goditi triadën bërthamore të Rusisë, dhe as nuk e kërcënoi mbijetesën e saj kombëtare. Forcat e saj speciale, goditën një sistem lëshimi raketash që synonte qëllimisht civilët ukrainas nga aerodromet në thellësi të territorit madh të Rusisë, ku Putini mendonte se ishin të sigurt.

E përse nuk mund të kundërsulmojë Kievi, kur Rusia sulmon “sistemin kombëtar të mbijetesës” së Ukrainës? Ukraina ia besoi “sistemin e saj kombëtar të mbijetesës” nënshkruesve të Memorandumit të Budapestit në vitin 1994, që përcaktoi heqjen dorë nga armët e tyre bërthamore.

Rusia sulmoi pikat e dobëta të Ukrainës, dhe kjo e fundit u përgjigj me të njëjtën monedhë. Rusia zbuloi “çfarë do të bënte pala tjetër”, dhe tani Kremlini po ankohet. Shpresojmë që Trump ta ketë kundërshtuar blofin bërthamor të Moskës gjatë telefonatës së tij të fundit me Putinin.

Rusia po vazhdon të sulmojë, ndërsa Ukraina vazhdon të mbrojë vendin e saj. Inovacioni, zgjuarsia dhe guximi për të provuar po e barazojnë fushën e lojës, duke e zemëruar shumë Putinin. Kjo luftë nuk mund të kufizohet vetëm brenda kufijve të Ukrainës.

Administrata Biden e ka provuar tashmë këtë me municionet e sistemit HIMARS. Dhe kjo qasje i ofron mundësi vetëm Kremlinit, pavarësisht se Ukraina e gjen gjithmonë një mënyrë për t’i kapërcyer vështirësitë. Ndërsa Shtëpia e Bardhë distancohet ushtarakisht nga Ukraina dhe Evropa në favor të rajonit të Indo-Paqësorit, Evropa po bashkohet me kauzën ukrainase nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman Friedrich Merz.

Londra dhe Brukseli, e kuptojnë se Ukraina është vetëm maja e ajsbergut, dhe se investimet më të fuqishme në mbrojtjen e tyre janë thelbësore për sigurinë e tyre.  Siç paralajmëroi ish-Sekretari i Mbrojtjes  Robert Gates: “Pikëpamja ime personale nga takimet me të, dhe për shkak se e kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime duke punuar për çështjes e Rusisë dhe Bashkimin Sovjetik, është se Putini e cilëson si fatin e tij rindërtimin e Perandorisë Ruse…Siç tha dikur mentori im i vjetër, Zbigniew Brzezinski, pa Ukrainën, nuk mund të ketë Perandori Ruse”.

Javën e kaluar, gjenerali në pension i Ushtrisë Amerikane, David Petraeus, paralajmëroi se nëse ka sukses në Ukrainë, Putini do të pushtojë një vend të NATO-s. Sipas tij Rusia mund të nisë një ndërhyrje në një shtet baltik – më e rrezikuar është Lituania – për të testuar vendosmërinë e Perëndimit apo si një pararendës për një ofensivë më të gjerë ruse.

Muajin e kaluar, forcat ruse filluan të fortifikonin bazat ushtarake përgjatë kufirit me Finlandën, një vend anëtar i NATO-s. Stërvitja e përbashkët ushtarake, Zapad-2025, me Bjellorusinë dhe Rusinë, është një provë e mundshme për një skenar pushtimi në  Hendekun Suvalki, një rrip kufitar prej 64 kilometrash midis Polonisë dhe Lituanisë, që e ndan Kaliningradin e kontrolluar nga Rusia nga Bjellorusia.

Nëse Rusia do ta pushtonte atë zonë, do t’i ndante dhe izolonte shtetet baltike nga NATO. Gjermania e njeh këtë kërcënim, prandaj muajin e kaluar dërgoi një brigadë tankesh në Lituani. Rusia nuk është e interesuar vërtet për paqe në Ukrainë.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, shkroi të martën në Telegram se qëllimi i zhvillimit të bisedimeve për paqe me Ukrainën, ishte të sigurohej një fitore e shpejtë dhe e plotë e Rusisë. “Ushtria jonë po përparon, dhe do vazhdojë ta bëjë këtë. Çdo gjë që duhet të hidhet në erë, do të hidhet në erë, dhe ata që duhet të eliminohen do të asgjësohen!”, theksoi ai.

Zelensky dhe ushtria e tij, po pengojnë synimet e dëshiruara të Putinit. Evropa po e pranon më në fund këtë fakt. Asnjë sasi ankesash dhe blofesh nga rusët, rreth provokimit të një lufte bërthamore nga veprimet e Ukrainës, nuk duhet ta pengojë Londrën dhe Brukselin që të sigurojnë mjetet që Zelensky ta mposhtë Putinin në fushën e betejës në Ukrainë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Hill”

Shënim: Koloneli në pension Jonathan Sweet, ka shërbyer për 30 vjet si oficer i inteligjencës së ushtrisë amerikane. Mark Toth, ekspert mbi sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.