BLLOKIM TRAFIKU/ Kaos në rrugët e qytetit të Vlorës, më shumë se një orë për të lëvizur në bregdet

Trafiku i verës ka filluar të ndihet në zonat bregdetare. Kjo fundjave e ka gjetur Vlorën me një numër të lartë mjetesh, që i drejtohen qytetit bregdetar.

Hyrja e qytetit bregdetar, por edhe të gjitha rrugët e qytetit të cilat të çojnë drejt bregdetit, janë pushtuar nga trafiku. Edhe pse rrugët e reja janë vënë në funksion të qytetarëve, sërish trafiku në Vlorë nuk po gjen zgjidhje.

Trafiku i automjeteve fillon prej hyrjes së qytetit në orët e mëngjesit, duke vazhduar më pas në aksin Transballkanik, rrugën “Kosova”, por edhe më pas në Lungomare apo aksin Vlorë–Radhimë–Orikum. Janë këto akse që janë kryesisht plazhet e Vlorës, të cilat pushtohen nga makinat.

Për të shkuar nga hyrja e qytetit në Orikum sot të duhet më tepër se 1 orë, kur kjo distancë në kohë normale kryhet për më pak se 30 minuta. Fundjava dhe fluksi i pushuesve në Vlorë ka nisur dhe pritet të vazhdojë gjatë gjithë sezonit veror.