BATUTA PIKANTE/ “Babai nganjëherë duhet të…”- Momenti që shkaktoi të qeshura mes Ruttes dhe Trumpit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shkëmbyen batuta gjatë një deklarate për shtyp në samitin e NATO-s në Hagë, pavarësisht se po diskutohej një çështje shumë serioze, siç ishte armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit.

Duke komentuar përplasjen midis dy vendeve, Trump tha: “Nuk do të luftojnë më me njëri-tjetrin. E kanë mbyllur. Ishte si një sherr mes dy fëmijëve në oborrin e shkollës. Fëmijë që luftojnë si të çmendur. Nuk i ndalon dot. Lëri të zihen për dy a tre minuta. Pastaj është më e lehtë t’i ndash.”

Teksa Trump bëri këtë krahasim në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme nuk mungoi dhe një batutë e shefit të NATO-s Mark Rutte, i cili iu përgjigj me humor Trumpit:
“Dhe pastaj babai duhet të përdorë ndonjëherë gjuhë të fortë.”

Trump vijoi më tej:
“Duhet të përdorësh gjuhë të fortë. Duhet të thuash një fjalë të caktuar,” duke iu referuar komenteve të mëparshme ku kishte thënë se “Izraeli dhe Irani nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë.”

Në lidhje me konfliktin në Gaza, Trump tha se ishte informuar nga përfaqësuesi Witkoff për ecurinë e bisedimeve dhe se armëpushimi është pranë finalizimit. “Ka një përparim të madh në Gaza”, theksoi ai.

Sa i përket axhendës së Samitit të NATO-s, Trump përsëriti kërkesën që vendet anëtare të rrisin shpenzimet ushtarake në 5 për qind të PBB-së së tyre. “NATO do të forcohet shumë me ne”, u shpreh ai.