APELI/ “Kujdes nga aleanca Rusi-Kinë”; kryediplomatja e BE Kaja Kallas: Duan ndryshimin e rendit global

Bota duhet të shqetësohet seriozisht për marrëdhënien ruso-kineze dhe teksa trupat koreano-veriore po luftojnë përkrah ushtarëve rusë në Ukrainë.

Deklarata është bërë nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, gjatë samitit mbi sigurinë globale në Singapor.

“Kur Kina dhe Rusia flasin për të udhëhequr së bashku, bëhet fjalë për një ndryshim të rendit të sigurisë globale që nuk shihet prej 100 vjetësh. Ndaj të gjithë duhet të jemi të shqetësuar”, ka deklaruar Kallas.

Ajo ka theksuar se siguria evropiane dhe ajo aziatike mbeten të ndërlidhura, ku bëhet fjalë për të garantuar stabilitetin global.

“Siguria jonë është shumë e ndërlidhur dhe ajo që duhet të bëjmë në mënyrë që skenari më i keq të mos verifikohet është të mbrojmë ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Kallas.

Sipas saj, vetëm ligji në fjalë është kupola që garanton mbrojtjen, sidomos atë të shteteve të vogla.

Muajin e kaluar, presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin ftoi në Moskë homologun kinez Xi Jinping, me rastin e 80-vjetorit të fitores kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, një vizitë kjo që shërbeu për riafirmimin e aleancës mes dy vendeve.