Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, në cilësinë e Kolegjit Zgjedhor, ka vendosur të pushojë ankimimin e paraqitur nga Ilir Alimehmeti, kandidat i ASHM, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Tiranë dhe vendimet përkatëse të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Alimehmeti kërkoi rinumërim të votave për Tiranën në Kolegjin Zgjedhor. Ndërkohë edhe tre kolegë të tjerë bënë kërkesë për rinumërim të votave në Tiranë e Durrës.
Në vendimin e gjykatës theksohet se kandidatët nuk kanë të drejtë të ankimojnë individualisht vendimet e KQZ-së apo të kërkojnë rinumërim votash, për sa kohë që nuk janë subjekt zgjedhor. Sipas ligjit, e vetmja që ka të drejtë të paraqesë ankimime të tilla është partia politike ose koalicioni që ka paraqitur kandidatin.
Për rrjedhojë, gjykata vendosi pushimin e çështjes, duke e konsideruar padinë të paraqitur nga një subjekt i paligjshëm për të ushtruar këtë të drejtë.
Kolegji Zgjedhor do të shqyrtonte sot më 12 Qershor ankimimin e Ilir Alimehmetit, kandidatit të Partisë Demokratike, i cili kërkon rinumërim ose rivlerësim të votave në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Tiranë.
Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor që do të shqyrtonte ankimin, përbëhet nga gjyqtarët: Entela Shedula (Relatore); Artan Çupi; Rexhep Bekteshi; Ornela Naqellari; Enkel Peza.









