Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit në 12 qarqet e vendit.
Pas miratimit, partitë politike kanë të drejtë të ankimojnë rezultatet. Partia Demokratike është ndër parat që ka kryer ankimin, teksa ka deklaruar se nuk do ta njohë rezultatin dhe tashmë ka nisur hapat e parë ligjorë për kundërshtimin e tij.
Sa i përket ankimimit, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të ankohet për rezultatin e secilit qark ku ka pretendime, brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit të KQZ-së në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). Ndërkohë, vendimi i KAS-it mund të ankimohet më tej në Kolegj Zgjedhor brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.
Rezultati i zgjedhjeve “vuloset” kur të kenë përfunduar të gjitha procedurat e ankimimit dhe të jenë dhënë vendimet përfundimtare nga KAS dhe Kolegji Zgjedhor. Më pas, KQZ certifikon zyrtarisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në rang kombëtar. Shpërndahen mandatet për 140 deputetët e zgjedhur dhe KQZ i dërgon Kuvendit listën e deputetëve të rinj.









