Me përfundimin e zgjedhjeve të 11 Majit, deputetët e legjislaturës aktuale që de fakto ka përfunduar por de jure mbyllet në Korrik, do të rikthehen në Kuvend për të vazhduar diskutimet aty ku i lanë një muaj para fushatës.
Do të jenë pesë javë intensive, ku pothuajse të gjithë institucionet do të paraqesin raportet e punës vjetore para ligjvënësve. Interesant do të jetë ballafaqimi i deputetëve opozitarë me kreun e SPAK, kryeprokurorin Altin Dumani.
Opozita e akuzon SPAK se ka mbyllur sytë përpara krimeve zgjedhore, duke i lënë terren të lirë sipas tyre, zyrtarëve dhe eksponentëve të Partisë Socialiste të cilët kanë përdorur para kriminale për të blerë vota për mandatin e katërt.
Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë veprimtarinë edhe për pesë javë të tjera, para se të shpërndahet në fillim të korrikut dhe kandidatët fitues të 11 Majit të zënë vend në legjislaturën e re që fillon në Shtator.
Deputetët do të rikthehen në sallën e Kuvendit këtë të enjte, datë 29 Maj, për të vijuar aty ku e lanë deri më datë 9 Korrik, transmeton A2 CNN.
Puna kryesore është shqyrtimi i raporteve vjetore të institucioneve të pavarura dhe miratimi i rezolutave përkatëse, e cila duhet të kishte filluar që në muajin Prill, por fushata zgjedhore i la në plan të dytë. Kjo legjislaturë do të mbyllet me miratimin e aktit parazgjedhor të Edi Ramës.
Dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, qeveria vendosi në një mbledhje të palajmëruar që të përcaktojë procedurat për shfuqizimin e masave administrative të paekzekutuara, bazuar në një ligj të kontestuar që u miratua në dhjetor 2024, që parashikon shfuqizim të këtyre masave nga viti 2015 deri më 30 nëntor 2024.
Vendimi i miratuar përcakton procedurat që ndiqen për realizimin e procesit të shfuqizimit të gjobave nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.
Falja e gjobave pritet të prekë mijëra familje, pasi sipas relacionit që shoqëroi nismën në Kuvend, vetëm në një vit janë vendosur 1,492 masa për tipologji ndërtimesh pa leje si shtëpi, mure rrethues, çati apo magazina.
Akti normative i shpallur dy ditë para zgjedhjeve të 11 Majit është depozituar për miratim në Kuvend nga ana e Këshillit të Ministrave, ku referuar parashikimeve ligjore, do të duhet të miratohet nga ana e deputetëve që të ruaj vlerën juridike.









