Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka përmbyllur vizitën e saj të dytë këtë javë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë strategjike të rajonit për të ardhmen e BE-së.
Në një postim në Instagram, ajo e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Evropian si projektin më të rëndësishëm gjeopolitik dhe një prioritet personal për të.
Gjatë vizitës, Kallas qëndroi në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, ku përcolli mesazhe të qarta për domosdoshmërinë e përparimit të secilit vend në rrugën e integrimit evropian.
Në Prishtinë, ajo apeloi për zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës politike dhe formimin e një qeverie funksionale. “Liderët duhet të lënë ndarjet anash dhe të vendosin në plan të parë të ardhmen e Kosovës”, theksoi Kallas.
Në Shkup, ajo vlerësoi Maqedoninë e Veriut si një partner të rëndësishëm, duke kujtuar se ky vend ishte i pari në rajon që nënshkroi një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje me Bashkimin Evropian, si dhe përfiton nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. “Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane dhe tani është thelbësore të vazhdohet në rrugën drejt BE-së”, tha ajo.
Kallas ritheksoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se bashkëpunimi i ngushtë me këto vende është kyç për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.









