Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Delegacionin e Kongresit Amerikan në Dayton.
Delegacioni ishte i kryesuar nga Kongresmeni Michael Turner, udhëheqës i Delegacionit të ShBA-së në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, dhe përfshinte gjithashtu kongresmenët Brett Guthrie, Linda Sánchez dhe Joe Wilson.
Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Ajo theksoi gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe rritjen e investimeve amerikane në Kosovë.
Presidentja Osmani i njoftoi kongresistët për zhvillimet e sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.









