Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë një drejtues të ri. Institucioni i përbërë nga agjentët që ndihmojnë prokurorët e posaçëm në hetimin e dosjeve të korrupsionit dhe kryejnë veprime në terren për llogari të tyre, ndodhet në një moment të rëndësishëm për vazhdimësinë.
Afati për dorëzimin e kandidaturës së drejtueses aktuale Aida Hajnaj ka përfunduar mbrëmjen e djeshme, mesnatën e 7 dhe 8 Majit, me këtë të fundit që nuk ka shfaqur interes për të rikandiduar ndryshe nga çfarë ishte deklaruar në media.
Komisioni i përbërë nga kryeprokurori Altin Dumani dhe dy kolegët e tij në SPAK, Arben Kraja e Behar Dibra ka pritur deri mbrëmjen e djeshme kërkesën për rikandidim nga drejtuesja aktuale e BKH-së, Aida Hajnaj, por kjo kërkesë nuk ka mbërritur.
Hajnaj ka kërkuar më parë që të rizgjidhej për një mandat të dytë 5 vjeçar pa kaluar nga e para në proces testimi, por kjo nuk është pranuar, pasi komisioni ka deklaruar se janë shtatë faza nëpër të cilat duhet të kalojë drejtuesi që kërkon rikandidim.
Duke qenë se Aida Hajnaj nuk ka pranuar të futet në testim për një mandat të dytë, procesi mbyllet përfundimisht dhe komisioni i posaçëm pritet të çelë fazën e dytë, në të cilën kanë të drejtë të garojë kushdo që përmbush kushtet, por jo drejtuesja aktuale.
Kushtet që duhet të përmbushin kandidatët për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit:
1- Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
2- Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
3- Kandidatët për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të nenit 6 të këtij ligji. Një kandidat nuk mund të caktohet në detyrë si Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit pa përmbushur kushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësive profesionale.
4- Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni.
5- Drejtori mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short.
6- Drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, përzgjedh nga radhët e hetuesve një zëvendësdrejtor. Zëvendësdrejtori vepron në emër të drejtorit në mungesë të tij.
7- Drejtori cakton hetues për të drejtuar sektorë brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përputhje me urdhrin e përbashkët të nxjerrë në bazë të nenit 31, pika 2, të këtij ligji.
Kriteret e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë të gjitha kushtet e parashikuara në nenin 6, pika 3, të nenit 37, si dhe pikat 2 dhe 3, të nenit 38, të këtij ligji. Ai duhet të plotësojë me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të jetë personi që ka vetëm shtetësi shqiptare, që gëzon cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotëson këto kritere:
a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;
b) ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
c) ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
ç) nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;
d) të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;
dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;
e) ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;
ë) ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;
f) të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
g) në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ishSigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
gj) të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes.
Procedura e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit garanton kandidimin e hapur, konkurrimin e ndershëm midis shumë kandidatëve, vlerësimin objektiv të përmbushjes së kushteve dhe kritereve, transparencën dhe standardet e tjera të procesit të rregullt ligjor. Përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë nen provohet me dokumentacionin shoqërues të kërkesës, të depozituar nga kandidati, si dhe informacioneve zyrtare të marra nga institucione të tjera publike, përfshirë edhe informacionet konfidenciale në lidhje me kandidatët.









