Mbase mund të duket edhe si rastësi, por fill një ditë pas deklaratave intimiduese dhe atakuese të drejtuesit politik të Tiranës Belind Këllçi në lidhje me pakënaqësinë e shprehur prej ndaj mesazhit të urimit të ambasadës së SHBA në Tiranë për zgjedhjet e 11 Majit, kjo e fundit ka ripostuar në Facebook mesazhin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili paralajmëroi të mërkurën vendosjen e kufizimeve të reja të vizave për zyrtarët e huaj që kanë gjobitur, intimiduar ose akuzuar shtetas amerikanë për ushtrimin e të drejtës së tyre për lirinë e shprehjes.
“Prej shumë kohësh, shtetasit amerikanë janë gjobitur, shqetësuar dhe madje edhe paditur nga autoritete të huaja për ushtrimin e të drejtës së tyre për lirinë e fjalës. Sot, shpall një politikë të re për kufizimin e vizave, e cila do të zbatohet ndaj zyrtarëve dhe individëve të huaj që janë bashkëpërgjegjës për censurimin e amerikanëve. Liria e fjalës është thelbësore për mënyrën amerikane të jetesës – një e drejtë e lindur, mbi të cilën qeveritë e huaja nuk kanë asnjë autoritet. Të huajt që punojnë për të minuar të drejtat e qytetarëve amerikanë nuk duhet të gëzojnë privilegjin e udhëtimit në vendin tonë. Qoftë në Amerikën Latine, në Evropë apo gjetkë – ditët e trajtimit pasiv ndaj atyre që veprojnë kundër lirive të amerikanëve kanë përfunduar.”, thuhet në postimin e Marco Rubios.
Kujtojme që kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio ka njoftuar kufizimin e vizave për zyrtarët e huaj të cilët sipas tij, janë “bashkëfajtorë” në censurimin e amerikanëve.










