Prokuroria Speciale e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e zyrës së Presidencës së Vjosa Osmanit, teksa në një reagim të ditës së djeshme thuhej se autoritetet kosovare nuk kishin marrë asnjë masë për kërcënimet e vazhueshme për jetë që presidentja Osmani ka marrë nga persona ende të paidentifikuar.
Për mediat kosovare ka reaguar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale Arbnora Luta, e cila ka deklaruar se lidhur me çështjen në fjalë, është caktuar prokurori përkatës që prej datës 22 maj, pra ditën kur është bërë dhe denoncimi, ndërsa thekson se rasti po trajtohet me prioritet të lartë.
“Ndërsa, të enjten pas pranimit të raportit policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve.
Po ashtu, Prokuroria Speciale, siguron opinionin publik se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë të shtetit”, tha Luta.
Ditën e djeshme, këshilltari për media i Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Bekim Kupina u shpreh se është shqetësues fakti që nuk ka asnjë reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, pasi kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit.
“Deri tash ka pasur dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por asnjë i arrestuar nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej tyre kërcënimet i kanë bërë pa e fshehur identitetin.
Bëhet fjalë për kërcënime ndaj kreut të shtetit, të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota”, tha ai.
Kujtojmë që në adresën elektronike të institucionit të presidencës së Vjosa Osmanit, disa ditë më parë ka mbërritur një e-mail kërcënues, ndërsa kjo nuk ishte hera e parë që të tilla kërcënime i adresohen Osmanit.
E-maili është dërguar më 15 prill, ditën kur Osmani nisi konsultimet me liderët e partive në kërkim të një zgjidhje për dalje nga ngërçi i krijuar. Edhe përmbajtja e mesazhit lë të kuptohet se ai ka lidhje me situatën politike në Kosovë dhe konsultimet e Osmanit dhe liderët e partive politike.
“Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuese ordinere ti ha ropt tvraj”, shkruan personi që e ka dërguar mesazhin nën një identitet fals.
Ai është dërguar nga një emër i rremë “Rrap Tap” dhe përmban përmbajtje kërcënuese e gjuhë të rëndë ndaj presidentes. Ndër të tjera, në mesazh thuhet se Vjosa Osmani është “kriminele antikushtetuese” dhe duhet të “vritet”.









