OPERACIONI “BARUTI”/ Kapet arsenal armësh dhe municionesh në Shkodër, për llogari të grupeve kriminale

Policia në Shkodër ka zbuluar një bazë armësh dhe municionesh që mbaheshin për llogari të grupeve kriminale dhe ka arrestuar pronarin e banesës ku u gjetën ato.

Në kuadër të operacionin të koduar “Baruti”, u zbulua një baze kriminale në fshatin Rrencë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë pronari i banesës së vënë në funksion të veprimtarive kriminale, shtetasi Ç. J., 61 vjeç, me precedent për armëmbajtje pa leje.

Nga kontrolli, në ambientet e banesës u gjetën: 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator.

Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të provuar përdorimin e tyre për ngjarje kriminale.

Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po hetohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast.