Pas mesazhit të djeshëm, Kryeministri Edi Rama u ka nisur një mesazh deputetëve kandidatëve për deputetë dhe drejtuesve të qarqeve socialistë ku i falënderon për punën e bërë gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Një ditë më parë kreu i qeverisë me anë të një sms në grupin e chat-it të PS u kërkoi në formë indirekte kandidatëve për deputet të cilët kishin kërkuar pamjet filmike të numërimit të votave në KQZ, të tërhiqeshin.
Në këtë mesazh të dytë, Rama u thotë socialistëve se në këtë betejë nuk ka humbës dhe ata që nuk arritën të merrnin mandatin e deputetit duhet të jenë krenar dhe të bindur se kontributi i tyre vlerësohet.
Mesazhi i plotë:
Sot ka mbaruar edhe numërimi i votave të diasporës, pra kanë mbaruar zgjedhjet dhe unë dua të ndaj me ju disa fjalë, aq sa lejon kjo dritare.
Së pari, dua t’ju falënderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila bëri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të
Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit!
Së dyti, dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor!
Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme.
Të gjithë atyre që s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm.
Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës po vetëm fitues!
Dhe së fundi, duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur.









