MEGA-OPERACIONI/ Kapet nëndetësja me 6 ton kokainë, vlera e drogës 300 milionë dollarë (video)

Autoritetet sekuestruan më shumë se 6 ton kokainë në gjysmë-nëndetëse, e njohur ndryshe si “narko-nëndetëse”, dhe në dy vendstrehime nëntokësore të zbuluara në Kolumbi, njoftoi  këtë javë marina e vendit.

Zyrtarët publikuan një video të “narko nëndetëses” që u kap në brigjet e Paqësorit të vendit, si dhe një video që tregon oficerët dhe një qen nuhatës që gjejnë sasi të mëdha kokaine të varrosura nën tokë. Marina gjithashtu publikoi një imazh të më shumë se 100 pakove me lëndë të dyshuara narkotike të vendosura në breg pranë një varke ushtarake.

Zyrtarët thanë se vlera e kokainës së sekuestruar në treg vlerësohej të ishte rreth 300 milionë dollarë.

Marina tha se narkotikët u kapën në Narino, një rajon në bregdetin e Paqësorit të Kolumbisë në kufi me Ekuadorin. Ata nuk thanë se sa persona u arrestuan ose se ku besojnë se po shkonte ngarkesa e drogës në gjysmë-nëndetëse.

Zyrtarët thanë se 3000 kilogramë kokainë u sekuestruan në det, ndërsa 270 kilogramë kokainë u zbuluan nga vendet e varrosura të fshehta.

“Marina kombëtare riafirmon angazhimin e saj në luftën kundër trafikut të drogës dhe do të vazhdojë të zhvillojë operacione masive kundër grupeve të organizuara të armatosura”, tha një zëdhënës i marinës.

Një ditë më parë, marina e Kolumbisë tha se kishin sekuestruar rreth 3 ton narkotikë në Oqeanin Paqësor që po shkonin drejt Amerikës Qendrore. Disa nga drogat u kapën pasi anijet e marinës ndoqën një “anije që lëvizte në mënyrë të dyshimtë”, thanë autoritetet, dhe tre persona u arrestuan. Droga vlente rreth 97 milionë dollarë.

Narko-nëndetëset zakonisht ndodhen shumë ulët në sipërfaqen e oqeanit, por nuk mund të zhyten plotësisht nën ujë. Ato janë të njohura në mesin e trafikantëve ndërkombëtarë të drogës sepse shpesh mund t’i shpëtojnë zbulimit nga autoritetet.

Edhe pse kapen në brigjet e Kolumbisë, vend që prodhon pjesën më të madhe të kokainës që gjendet në botë, narko-nëndetëset janë parë në të gjithë globin muajt e fundit.

Në mars, policia portugeze tha se forcat kishin konfiskuar gati 6.5 ton kokainë nga një anije gjysmë-nëndetëse pranë arkipelagut të largët të Azoreve që ishte drejtuar për në gadishullin Iberik.