Burime nga terreni bëjnë me dije se një përplasje ka ndodhur gjatë procesit të votimit në Fushë Milot, konkretisht në oborrin e shkollës 9-vjeçare “28 Nëntori”, ku është vendosur qendra e votimit nr. 0871.
– Advertisement –
Sipas informacioneve paraprake, dy shtetas të identifikuar si Kastriot (Preng) Perdoda dhe Asti Lleshi janë përfshirë në një konflikt verbal brenda perimetrit të sigurisë, i cili më pas është përshkallëzuar jashtë këtij perimetri. Konflikti dyshohet se ka përfshirë anëtarë të dy fiseve.
Ende të pakonfirmuara zyrtarisht, raportimet e para sugjerojnë se Kastriot Perdoda mund të ketë qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, jashtë zonës së qendrës së votimit. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Deri më tani, policia nuk ka dalë me një konfirmim zyrtar për të shtënat e pretenduara. Hetimet vijojnë dhe pritet një reagim zyrtar nga autoritetet në orët në vijim.









