Prindërit në Gramsh kanë zhvilluar një protestë lidhur me infektimet e fëmijëve me salmonelë në një kopsht, ku të paktën 14 prej tyre janë helmuar.
Në total u morën 79 mostra nga ky kopsht, nga fëmijët, tek edukatorët dhe punonjës nga kuzhina.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Gramshit, njëkohësisht prind i një prej fëmijëve të helmuar, foli për Euronews Albania se si qëndron situata duke parashtruar problematikat.
“Të zbardhet e gjithë ngjarja, mbulimi i kësaj nuk është në interes të qytetarëve të Gramshit. Duke heshtur sot mund të rishfaqet si problematikë, nëse jo në Gramsh, diku tjetër. Ata vazhdojnë akoma ta mbajnë të fshehtë sikur është diçka normale që të helmohen 14 fëmijë në kopsht.
I bëj thirrje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore të Elbasanit të hetojë çështjen dhe ti pyes një nga një, të na pyesin dhe ne prindërit sepse i japim ne informacionet, sepse ka informacione që ai zotëria që sjell ushqimet është dhe shofer, merr ushqimet, i fut brenda , i bën të gjitha. Mund të ketë ardhur dhe nga diçka tjetër prandaj kërkoj të hetohet, ta dimë nga se vjen.
Si anëtar i Këshillit Bashkiak do e kërkoj në Këshill që operatori të mos jetë më në rrethet jashtë Gramshit por të jetë autokton.
Dyshimet tona janë për salmonelë pasi ka tre muaj që flitet për këtë gjë dhe mund ta eleminonin si produkt dhe jo duke ia shërbyer fëmijëve.
Unë vetë si prind e kam ngritur këtë shqetësim në Këshill, sepse cilësia e ushqimit të lë për të dëshiruar. E kanë refuzuar këtë kerkesë pasi e kanë marrë si politikë, por ne këtu po jetojmë dhe këtu po çojmë fëmijët në kopsht”, tha prindi.
Ndërkohë ka ardhur dhe shfajësimi i kryebashkiakut të Gramshit:
Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi ka folur në lidhje me infektimin me salmonelë të 14 fëmijëve në kopshtin numër 1 të Gramshit.
“Nuk ka 72 të shtruar por vetëm 6 të shtruar me orë dhe janë larguar në shtëpi pasi gjendja e tyre është përmirësuar sipas informacioneve nga spitali.
Nuk ka mungesë frigoriferësh siç është folur, frigoriferi është aty. Para se ta gjejnë mediat apo prinderit e shqetësuar, t’ia lëmë insituioneve ta gjejnë shkakun siç janë dhe nëse ka vepër penale. U takon policisë, Prokurorisë, AKU-së dhe ISHP-së nëse është diçka që identifikohet kollaj, për shkakun të merren institucionet përkatëse.
Ushqimi nuk funksionon me katering, por me furnizim nga një kompani dhe me gatim në ambientet e kopshtit me kuzhinier që prej vitesh ushqejnë vogëlushët. Ky është rasti i parë që ka ndodhur. Nuk e dimë ende se çfarë ka ndodhur sepse vijon hetimi”, tha Kryetari i Bashkisë së Gramshit.









