ANTI-KONTRABANDA/ Cigaret prodhoheshin në Shqipëri dhe trafikoheshin jashtë – SPAK jep detaje për aksionin; 36 persona nën hetim 

Prokuroria Posaçme ka reaguar zyrtarisht mbi aksionin kundër kontrabandës së cigareve. Pak më parë u njoftua në media se janë lëshuar rreth 15 urdhër-arreste, teksa SPAK bën me dije se janë në total 36 persona nën hetim, ku disa po hetohen në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, është zbuluar një fabrikë për prodhimin e cigareve, e cila rezulton si regjim fason dhe cigaret i prodhon për llogari të një firme jashtë vendit.

Nga hetimet ka rezultuar se marrëveshja mes subjektit të hetuar dhe shoqërisë porositëse është bërë me qëllimin e vetëm për të shmangur detyrimet doganore dhe se vetë subjekti shqiptar, përcakton destinacionin i cili rezulton inekzistent. Grupi i strukturuar kriminal, në më shumë se 30 (tridhjetë) raste ka ndryshuar destinacionin dhe më pas shkarkuar ngarkesën e destinuar për firmën porositëse në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore.