Kandidati i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se ish-kryeministri Sali Berisha nuk është në garë për të marrë postin e kryeministrit, edhe nëse ASHM fiton zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Berisha ka një mision politik – të largojë Edi Ramën nga pushteti – dhe jo ambicie për t’u bërë sërish kryeministër,” tha Këlliçi, duke theksuar se pas fitores, do të jenë demokratët ata që do të vendosin kush do të udhëheqë qeverinë.
I pyetur nga moderatori Blendi Fevziu për arsyen pse Berisha po zhvillon një fushatë kaq të fortë nëse nuk synon postin e kryeministrit, Këlliçi theksoi se rikthimi i tij ishte i diktuar nga “rrethanat historike dhe politike”.









