SYME SY/ “Ç’e duam BE-në mor piktor, ne po ikim pa pasaporta”. Rama i përgjigjet komentuesit me shprehjen e gjyshes: Mllefi, e zeza e t’zot!

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit në rrjetet sociale lidhur me atë që kreu i qeverisë e ka shndërruar në kryefjalë ditët e fundit, “pasaportën europiane”, duke iu referuar integrimit të vendit në BE.

Një qytetar i shkruan kryeministrit se shqiptarëve nuk iu duhet pasaporta europiane pasi ata po largohen nga vendi.

Por në përgjigjen e tij, Rama rendit përfitimet që do të kenë qytetarët pasi vendi të aderojë në familjen e madhe europiane.

“Pasaporta Europiane nuk duhet për të ikur se ikën edhe me këtë që kemi, ke të drejtë, por për të fituar dinjitetin e qytetarit europian që nuk e nxjerrin anash hyrjes për ta pyetur me polic ku po shkon, dinjitetin e studentit europian që kudo se ku studion në Europë gëzon të drejta të barabarta me atë që është lindur dhe rritur në atë vend të Europës.

Dinjitetin e punëmarrësit Europian që kudo ku punon në Europë gëzon të drejta të barabarta me punësmarrësit e lindur dhe rritur në atë vend.

Të përçmosh punën e tjetrit është kollaj por nuk të ndihmon të jetosh më mirë. Gjyshja ime thoshte “mllefi e zeza e t’zot”. Ndërkohë që unë besoj se po të interesoheshe pak më shumë për BE dhe për impaktin e hyrjes në BE mbi vendet dhe qytetarët që kanë hyrë para nesh në atë familje nuk do t’i bije kaq shkurt dhe kaq së prapthi. Edhe krijimi i kushteve ende më të favorshme për të rinjtë që të investojnë në Shqipëri siç të kërkon ty, me hyrjen në BE bëhet më i lehtë se sa me qëndrimin jashtë BE”, shprehet kryeministri.