RREZOHET BERISHA/ Gjykata e Lartë refuzon kërkesën për lirim të ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesat për rekurs të paraqitura nga Sali Berisha, dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në lidhje me masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si “Dosja Partizani”.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e “detyrim paraqitje” për Sali Berishën si dhe masën e “arrestit në shtëpi” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga Sali Berisha kundër vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Si rezultat, masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin mbetet në fuqi.

Po ashtu, Gjykata e Lartë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 21 (87-2025-30), datë 24.01.2025, për Jamarbër Malltezin, duke konfirmuar masën e arrestit në shtëpi ndaj tij.